Secondary Adv

Temperatura rekord në Evropë, mbi 1300 viktima dhe shqetësime për ndikimin ekonomik

Vala e të nxehtit në Evropë ka shkaktuar mbi 1,300 viktima, ndërsa ekspertët paralajmërojnë pasoja të rënda ekonomike.


Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën që prej 21 qershorit ka shkaktuar mbi 1,300 viktima, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur se rreth 150 milionë njerëz po jetojnë aktualisht në kushte të vape ekstreme, ndërsa temperaturat e larta kanë sjellë jo vetëm humbje jete, por edhe mbyllje shkollash dhe presion të madh mbi rrjetet energjetike.


“Më shumë se 1,300 vdekje të tjera janë regjistruar që nga 21 qershori në lidhje me temperaturat e larta në Evropë. Tani për tani, 150 milionë njerëz jetojnë në vapë ekstreme, qindra njerëz kanë vdekur, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet elektrike janë nën presion të rëndë”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në një postim në X.


Rekorde temperaturash në disa vende evropiane


Franca është ndër vendet më të goditura nga vala e të nxehtit. Autoritetet raportojnë rreth 1,000 viktima të lidhura me temperaturat ekstreme. Megjithëse moti ka nisur të freskohet, alarmi i kuq mbetet në fuqi në dy departamente lindore dhe pritet të hiqet gjatë mbrëmjes. Ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, paralajmëroi se efektet e temperaturave të larta mund të vazhdojnë deri në 10 ditë edhe pas uljes së temperaturave. Ndërkohë, stuhitë e forta kanë lënë pa energji elektrike rreth 36 mijë familje në veri dhe qendër të vendit.


Edhe Republika Çeke regjistroi temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë në rrjetin zyrtar meteorologjik, me 41.1 gradë Celsius në Doksany. Në Gjermani u regjistruan gjithashtu rekorde të reja, ku në Köschen të Brandenburgut termometri arriti në 41.7 gradë Celsius, ndërsa Saarbrücken në North Rhine-Westphalia shënoi 41.3 gradë Celsius. Në Berlin, policia përdori topa uji për të freskuar qytetarët, ndërsa në disa rajone u reduktuan shërbimet hekurudhore dhe u pezullua qarkullimi i tramvajeve për shkak të temperaturave të larta.


Në Romë, Papa Leo falënderoi besimtarët që morën pjesë në lutjen e së dielës në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht vapës përvëluese. Meteorologët parashikojnë që gjatë ditëve në vijim temperaturat të ulen në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, ndërsa vala e të nxehtit pritet të zhvendoset drejt Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Në Gjermani, ndërkohë, parashikohen stuhi gjatë ditëve në vijim.


Ndikimi ekonomik po shton shqetësimet


Përveç pasojave shëndetësore, temperaturat rekord po ndikojnë edhe në ekonomi. Sipas ekspertëve, nxehtësia ekstreme ul produktivitetin, rrit kostot e energjisë, shkakton vonesa në transport dhe vë në provë infrastrukturën.


Një studim i Allianz Trade vlerëson se Gjermania mund të përballet me humbje ekonomike prej 112.5 miliardë eurosh deri në vitin 2030 nëse valët e të nxehtit vazhdojnë me të njëjtin intensitet. Hulumtimi tregon se për çdo gradë mbi 30 Celsius, produktiviteti bie me 3 për qind.


Sektorët që mbështeten në punën fizike ose zhvillojnë aktivitet në ambiente të hapura konsiderohen më të ekspozuarit ndaj këtyre kushteve. Gjithashtu, industri si automobilët, inxhinieria mekanike dhe elektronika rrezikojnë ndërprerje të prodhimit për shkak të problemeve në zinxhirët e furnizimit.


Temperaturat e larta po vënë nën presion edhe infrastrukturën. Rrjetet e energjisë elektrike po përballen me kërkesë të shtuar për ftohje, ndërsa vetë temperaturat ulin efikasitetin e sistemeve teknike. Në të njëjtën kohë, nivelet e ulëta të ujit në lumenj po kufizojnë transportin e lundrimit të brendshëm, duke ndikuar në logjistikë dhe aktivitetin industrial.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat